Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), znj. Afërdita Beka Arifaj, priti në një takim zyrtar Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj.
Gjatë takimit, znj. Beka Arifaj e informoi Ambasadorin Malaj për aktivitetet dhe angazhimin e vazhdueshëm të AKKVP-së në përmbushjen e mandatit të saj. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në trajtimin e çështjeve pronësore, duke veçuar formalizimin e të drejtave pronësore dhe duke nënvizuar rolin kyç të AKKVP-së në këtë proces.
Ambasadori Malaj e përgëzoi znj. Beka Arifaj për punën dhe përkushtimin e saj, duke shprehur gatishmërinë e Republikës së Shqipërisë për të mbështetur këtë proces përmes shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve dhe mekanizmave shtetëror të cilët trajtojnë të drejtat pronësore.
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) është institucion i pavarur publik i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me mandat për të krahasuar dhe verifikuar dokumentet pronësore që ndodhen në Republikën e Serbisë me regjistrat aktualë kadastralë të Kosovës.